Categories
Aktualiet

A duhet të sillen prindërit si shokë me fëmijët e tyre, flet Lira Gjika: “Truri i adoleshentit nuk e ka mbaruar pjekjen”

Të sillesh si prind apo si shok i fëmijës tënd? Kjo është një nga ato dilema që shoqëron shumë nëna dhe baballarë, por në të njëjtën kohë edhe i ndan në kampe të ndryshme.

Lidhur me këtë temë ka reaguar pediatrja e njohur, Lira Gjika.

Në një shkrim të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, ajo shkruan: “Forma e marrëdhënies, ku prindi bëhet shok me fëmijën, po akuzohet gjithmonë e më shumë nga specialistët që merren me studimin e psikikës njerëzore, sidomos ata që kanë në qendër studimin e periudhës më të vështirë të jetës së njeriut, adoleshencën.

Truri i adoleshentit nuk e ka mbaruar pjekjen dhe ka nevojë për kufij të qartë që të mund të vazhdojë procesin e rritjes. Në këtë fazë të jetës adoleshenti gati-gati e ka të pamundur të mendojë për pasojën e një veprimi. Shpesh është veprimi që e merr përpara dhe jo ai të kontrollojë veprimin.

Pra të kuptuarit e pasojave të një veprimi është shumë e vështirë për adoleshentin. Adoleshenti gjithashtu pushtohet nga reagime impulsive shumë të forta që kërkojnë shumë mund për t’u mbajtur nën kontroll duke krijuar shumë vështirësi në sjelljen e tij.

Prindërit duhet t’i vendosin rregulla dhe kufij fëmijës adoleshent, që jeton çaste të vështira e konfuze, pasi ata janë si parmakët e një ure apo humnere që nuk lejojnë të biesh. Rregullat dhe kufijtë e ndihmojnë, madje e shpëtojnë adoleshentin. Prindërit duhet të jenë prezentë dhe të besueshëm. Ata duhet të jenë model për ta, jo shokë. Shokët i zgjedh vetë adoleshenti dhe për më tepër që ky është një proces tjetër shumë i rëndësishëm, zgjedhja dhe pranimi i një tjetri si vetja me të cilin nuk ke lidhje gjaku.

Kjo zgjedhje, që prindërit bëhen shokë me fëmijën, sipas specialistëve është një përzierje e përtesës me paaftësinë e të rriturit për të bërë detyrën dhe të durojë presionin e energjisë së adoleshentit, por nuk ka rrugë tjetër. I rrituri në përgjithësi dhe prindi në veçanti, është si kapiteni që jep komandën, drejton, i mëson rregullin dhe i nxjerr nga beteja fitimtarë. Prindi shok jo vetëm që e lë vetëm adoleshentin në fushën e betejës së jetës, por i tregon se të jesh i rritur, nuk është gjë tjetër, por një njeri që po i mbarojnë energjitë. Kjo mënyrë po përhapet me të shpejtë edhe te ne.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.