Sekreti për të bërë ballokume sa më të mira është tek ky proçes dhe tek menyra e pjekjes sipas zonjes Dallendyshe

Sa herë vjen Dita e Verës, tregjet shqiptare mbushen me Ballokumet e Elbasanit. Shumë zonja vazhdojnë t’i përgatisin vetë në shtëpi, vit pas viti, por sekretet i dinë vetëm ato nga Elbasani. Këto sekrete i ka treguar Dasha Sejdini, për gazetën Shekulli.

Intervista është dhënë dy vjet më parë, por tradita është shumë më e vjetër dhe receta mbetet gjithmonë ajo, kështu që nuk kemi pse shqetësohemi.

Zonja Dasha vetë festën e 14 Marsit e cilëson si një ditë të veçantë për momentet e bukura, por veçanërisht për përgatitjen e gatimeve tradicionale të kësaj dite, ku vendin kryesor e zënë ëmbëlsirat.

“Ballokumja dhe revania janë dy ëmbëlsirat e Ditës së Verës. Receta e ballokumes është një recetë që ka ardhur brez pas brezi. Sekreti i ballokumeve qëndron te lënda e parë dhe te kujdesi i masave që bashkohen me njëra-tjetrën, duke e mbyllur me rrahjen e vazhdueshme.

Madje edhe ena në të cilën bëhet procesi i rrahjes do të ishte shumë më mirë nëse është enë bakri dhe luga me të cilën bëhet përzierja të jetë druri dhe e madhe. Ballokumja është dy llojesh: ballokume brumi, që përgatitet me miell gruri dhe pak sheqer dhe tjetra është ballokume sheqeri, që në Elbasan është sinonimi i Ditës së Verës”, ka treguar zonja Dasha.

Për amvisat elbasanase përgatitja e gatimeve tradicionale për festimet e Ditës së Verës fillojnë disa ditë para festës. Zonjat e shtëpive fillojnë me blerjen e përbërësve me të cilët përgatiten ballokumet, pasi sa më të zgjedhur edhe të freskët të jenë përbërësit, aq më të shijshëm bëhen edhe ëmbëlsirat. Përbërësit bazë janë: mielli i misrit, vezët dhe gjalpi.

Festimet e Ditës së Verës nisin që më 13 mars me zjarrin që ndizet në mbrëmje. Më pas festimet vazhdojnë gjatë gjithë 14 Marsit. Kjo është receta që tregon zonja Dasha nga Elbasani. Ajo ka kaq vjet që e përgatit, edhe kurrë nuk i ka reshtur dëshira që ta bëjë çdo mars që kalon.

Një tjetër qytetare elbasanese është edhe Dallandyshe Xhyra. 51-vjeçarja është amvisë, edhe thotë se gatimin e ballokumes e ka specialitet.

Përveçse gatuan për familjen e saj, ajo këtë recetë tradicionale e ka përdorur edhe për të ndërtuar një biznes familjar ku gatuan dhe tregton ballokume. “Përgatitja e saj behët në një tenxhere bakri, që është e posaçme vetëm për ballokumet”, rrëfen zonja.

Ajo shpjegon se përbërësit në këtë enë bakri futen sipas radhës, duke i rrahur me lugë druri, gjalpë të tretur, sheqer të shtypur, vezët një e nga një, maja, miell misri dhe finjë. Sipas saj, masa e fituar nga të rrahurit me lugë ndahet në pjesë në formë kokrrash të rrumbullakëta dhe futet në furrë.

“Sekreti për të bërë ballokume sa më të mira është rrahja me dorë dhe pjekja në furrë druri. Në fillim gjalpi bashkohet me sheqerin, derisa treten mirë dhe më pas i hidhen vezët.

Mielli shtohet pak nga pak derisa përzihen mirë të 3 përbërësit. Në rast se i gatuan shpeshherë këto ëmbëlsira, edhe me sy kuptohet se kur masa është gati për pjekje. Pastaj më e mira do të ishte që pjekja të bëhej me furrë druri”, tregon ajo.

Përveç ëmbëlsirave në tryezën e Ditës së Verës në familjet elbasanase shtrohen edhe disa nga gjellët, që nuk i gjen në qytetet e tjera të Shqipërisë që janë: tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Karshi kësaj feste nuk qëndrojnë indiferentë as meshkujt.

Burrat e familjeve në datën 13 mars zgjedhin të blejnë gjelin e detit, i cili nuk mungon në tavolinat festive të Ditës së Verës.

Gjatë kësaj nate fillon të ndahet edhe hiseja e sotme për njerëzit dhe të afërmit. Gjithashtu më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi.

Mëngjesin e datës 14 Mars vendosen veroret dhe nisin vizitat te të afërmit, ku djali më i vogël i familjes nxiton të dërgojë hisen e ndarë. Ndonëse kjo traditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve.

Ky zakon i lashtë festohet jo vetëm në Elbasan, por në gjithë Shqipërinë. Vitet e fundit qendër për këto festime është kthyer edhe kryeqyteti me larminë e aktiviteteve që ofron.

Leave a Reply

Your email address will not be published.