E paarritshme në skenë, gjithmonë e respektuar dhe modeste, ikona e humorit shqiptar, Zyliha Miloti feston sot 77-vjetorin e lindjes.
Teatri Migjeni ka nxjerrë në faqen e tij një kolazh fotosh të artistes Zyliha Miloti për t’i uruar ditëlindjen e duke shprehur dhe njëherë krenari për këtë figurë të papërsëritshme të artit tonë.
Ajo lindi në Shkodër, më 11 janar 1946 . Mbaroi liceun artistik ”Jordan Misja”, me 1965 për aktore dhe nga viti 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret ma të suksesshme të Estradës Profesioniste të Shkodrës për rreth 40 vjet.
Plot hir në skenë, me një prani aktoriale që imponohej gjithandej me zë të plotë e të bukur, Zyliha Miloti numëron me qindra role në karrierën e saj të shkëlqyer.
Shfrytëzon me sens e maturi nëndialektin e të folurës shkodrane, pa e bërë atë një zhargon të rënd, përkundrazi duke i dhënë një tingëllim poetik e plot muzikalitet.