Aktori legjendar i humorit shqiptar, Sejfulla Myftari i njohur si “Cekja i Beratit” ka dhënë një interviste për “ABC e Mëngjesit”, ku ka folur për të gjithë karrierën e tij në kinematografi.
Ai ka veçuar rolin e tij që e bëri të famshëm në materialin “Alo Ushnja”, i cili sipas tij e bëri shumë të dashur për herë të parë nga publiku, pasi e ndalonin edhe në rrugë.
“Më i emocionuar jam ndjerë kur kam bërë materialin ‘Alo Ushnja’ që më njohi e gjithë Shqipëria, që është shfaqur në orën 9:20 minuta në vitin ’82. E mbaj mend si tani. Aty kam ndjerë kënaqësinë më të madhe se u njoha nga publiku.
Ka qenë momenti më befasues i imi në publik, se kur dilja në rrugë të nesërmen, nuk pushonin njerëzit kur thoshin ‘Alo Ushnja’, tha aktori.
Më tej, ai tregoi edhe si e ka marrë pseudonimin Cekja, që në vogëli nga gjyshja.
“As vetë nuk e di. Vija në origjinën time Skrapar, se unë me origjinë jam skrapali, si me nënë dhe me babë. Gjyshja nxirrte kecat se i jepte për të ngrënë dhe i thërriste Kec Kec dhe unë rrija me kecat, edhe Kec Kec , Cek Cek dhe kështu më ngeli Ceke mua.
Përveç emrit, më kanë ndryshuar edhe mbiemrin si “Cekja i Beratit”, i ka ngelur qejfi skrapalinjve, aq sa në një intervistë thash jam nga Skrapari, jo nga Berati”, u shpreh aktori.
Sa i përket karrierës, Cekja veçoi filmin ‘Një baba tepër’, pasi është një ngjarje vërtetë reale.
“Në karrierën time do të veçoja filmin ‘Një baba tepër’, është tragjike-komike. Të tërë filmat i kam të arrirë artistikisht, si ato skenaret me Arjan Çuliqin. Po ‘Një baba tepër’ është vërtetë i kompletuar, është një ngjarje reale shqiptare”, theksoi ai.