Reshjet e ditës së djeshme të shiut i lanë vendin mjegullës së madhe që pushtoi të gjithë vendin. Por sot në mesditë moti u bë i kthjellët me shumë pak vranësira kalimtare.
“Dita e sotme do të jetë me mot të kthjellët gjatë gjithë ditës, me pak vranësira të lehta dhe kalimtare. Temperaturat kanë rënë me dy gradë sot, duke bërë që në zonat malore të zbresin në 1 ose 0 gradë ndërsa në Ultësirën Perëndimore, temperaturat do të luhasin nga 7-8 gradë celsius.
Mesdita e sotme solli kthjellime dhe kështu do të vijojë deri në mbrëmje me rritje temperaturash që do të arrijnë vlerën 16 gradë celsius”, tha për A2cnn meteorologia Tanja Porja.
Sa u përket ditëve në vijim, moti do të vijojë të jetë i kthjellët me temperatura që arrijnë deri në 21 gradë celsius.
“Tre ditët në vijim pritet që të kemi tablonë e motit të kthjellët, me vranësira të herë pas hershme dhe kalimtare por pa mundur të sjellë reshje shiu. Gjatë orëve të natës temperaturat do të ulen në 1 gradë ndërsa gjatë ditës do të arrijnë në 21 gradë”, tha Porja.