Elida Cangonji, e njohur për rolin e Zanës në filmin e njohur shqiptar “Rrugë të bardha” ndërroi jetë në 2016 si pasojë e një sëm undje të rëndë.
Por një rrëfim i saj, i kohës kur ka qenë në postin e Drjtoreshës së Shtëpisë së Fëmijëve me të meta mendore dhe ka pushuar nga puna punonjësen që nuk dinte të qeshte do mbetet gjithmonë në kujtesë.
Rrëfimi i plotë: 15 mars 1991. Duke lënë të çuditur shumë të njohur e të afërm, unë e pranova propozimin për t’u bërë drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijëve me të meta mendore, siç quhej atëherë.
Mes dy shefave të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës (sot Bashkia e Tiranës), futemi në oborrin e institucionit ku do të më prezantonin me personelin.
Në dritaren e parë të katit të dytë del një fëmijë dhe duke u përkulur më poshtë brezit, bërtet: mamiiii, erdhi mamii!! O Zot! Edhe tani rrëqethem. Fëmija priste të ëmën dhe në institucion shkoja unë, drejtoresha e re!
Kishte shumë pak fëmijë jetimë në atë institucion, të tjerët e kishin familjen, por nga mënyra se si ishte organizuar familjarët i shikonin shumë rrallë.
I kisha idetë e qarta se nga do t’ia nisja e ku do dilja me atë institucion të tipit “bu rg”, ku edhe personeli ishte në një numër jo të vogël me “njerëz që partia po i riedukonte”. Nuk desha të paragjykoj asnjërën nga 42 gratë dhe një burrë që kishin të punësuar aty, desha të krijoj mendimin tim për secilën.
E them këtë sepse pashë dhe ndjeva ankthin e të gjithave; kë do pushojë kjo nga puna?! Ua bëra të qartë; do i jepnim njëra-tjetrës kohën dhe mundësinë për t’u njohur e për të njohur atë që duhet bërë dhe si duhet bërë me këta fëmijë. Ashtu bëmë.
Dy vitet e para ishin shumë të vështira për të gjithë, por që çdo ditë bënim nga një hap përpara për të përmirësuar kushtet e jetesës për fëmijët dhe kushtet e punës për personelin.
Erdhi demokracia dhe thanë se do depolitizonin institucionet… Çfarë gëzimi që ndjeva! Më besoni, pasi jo rrallë më ishte dashur të ndaja gratë e personelit në komuniste dhe demokrate.
Institucioni në atë kohë ishte ende pjesë e strukturave të shëndetit të rajonit nr 1, pra e gjithë pjesa administrative ishte atje. Për fat të mirë, ishin njerëz që vërtet më mbështesnin, që nga drejtori e zv.drejtori e deri te furnitorët e thjeshtë. Punoja 16 orë në ditë dhe natën përjetoja problemet e punës.