Categories
Uncategorized

Agron Llakaj reagon për herë të parë pas humbjes së bashkëshortes

Pas humbjes së madhe në familjen Llakaj, Kostandina bashkëshortja e aktorit të mirënjohur Agron Llakaj, ky i fundit në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për të gjithë njerëzit që u gjendën pranë në këto ditë të vështira për ta, ka bërë një video mesazh.

Në emër të tij dhe të gjithë pjesëtarëve të familjes, Agroni është shprehur thellësisht falënderues dhe mes dhimbjes sërish mes rreshtash nuk mungoi edhe një mesazh jete për të gjithë:

“Duajini njerëzit, respektoni njeri- tjetrin, sepse pasuria më e madhe që Zoti u jep njerëzve është shëndeti. Para shëndetit, jetës dhe njerëzve të familjes, çdo gjë tjetër është shumë e vogël”.

“Të dashur miq, në pamundësi për t’iu kthyer përgjigje të gjitha mesazheve të drejtuara drejt meje dhe familjes time me rastin e humbjes së njeriut tonë të shtrenjtë, të Kostandinës tonë dhe Kostandinës time, unë po ju drejtohem me këtë video mesazh, duke ju shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë ato fjalë zemre drejtuar drejt nesh nga ju.

Dihet mirë që edhe gëzimet dhe hidhërimet ndahen me njerëz të njohur dhe të panjohur, mori njerëzish janë gjendur në përcjelljen e lamtumirës së Kostandinës, por edhe në ditët e pritjes që familja jonë organizoi, gjithë kjo dashuri e madhe njerëzore, në një mënyrë na bëri që për momentin ta kalonim disi më lehtë.

Mali i dhimbjes që Kostandina la mbrapa nuk kam fjalë që mund ta shpreh, se pesha është shumë e madhe dhe pikërisht për shkak të kësaj dhimbje ne po pranojmë vuajtjen.

Kam lexuar dhe stërlexuar shumë mesazhe tuajat për të ruajtur kujtimin e saj, por ne nuk do të ruajmë kujtimin e Kostandinës, sepse ajo është në çdo frymëmarrje tonën, timen, të fëmijëve të mi, të mbesës time, të nipërve të mi, të gjithë njerëzve të dashur.

Jetën nuk e zgjedhim, në dy vite Kostandina tregoi se ishte trau dhe shtylla e shtëpisë, por edhe njeriu me shpirtin më të fortë.

Për dy vite në këtë tragjedi njerëzore, në përballje me këtë sëmundje të pamëshirshme ishte ajo me karakterin dhe vullnetin e saj, më dha mundësi të ushtroja profesionin tim.

Të bësh humor me thikë në zemër ishte e vështirë, motiv ishte Kostandina. Dhe pas gjithë kësaj beteje, ne e pranuam humbjen. Sëmundja doli më e fortë.

Ajo ç’ka Kostandina la mbrapa unë shpresoj që fëmijët e mi ta trashëgojnë. Dashurinë e madhe njerëzore, respektin njerëzor mbi gjithçka.

Dua të them shumë, por i prekur dhe emocionuar nga gjithë pjesëmarrja e njerëzve dua të shpreh falënderimin e madh, mirënjohje, por mbi të gjitha t’ ju them duajini njerëzit, respektoni njeri- tjetrin, sepse pasuria më e madhe që Zoti u jep njerëzve është shëndeti.

Para shëndetit, jetës dhe njerëzve të familjes, çdo gjë tjetër është shumë e vogël. Paçi ditë të gëzuar, shëndet dhe zemrat plotë. Respekt dhe mirënjohje nga unë personalisht, fëmijët e mi, mbesa dhe nipërit. Faleminderit me zemër”, është shprehur Agron Llakaj./Living

Leave a Reply

Your email address will not be published.